
Projekti “Thesaret e Tiranës sime”, i realizuar nga Tradita Popullore me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, solli në fokus veshjet tradicionale, fotografinë dhe monumentet e kulturës së Tiranës.
Në kuadër të projektit u realizuan sete fotografike në Kalanë e Prezës dhe Kalanë e Petrelës, ku u prezantuan kostume tradicionale të Qarkut Tiranë në ambiente me vlera historike dhe kulturore.

Materiali fotografik i realizuar gjatë këtyre seteve u përpunua dhe u publikua në albumin “Thesaret e Tiranës sime”, i shoqëruar edhe me materiale promocionale dhe një fushatë komunikimi në rrjetet sociale.
Pjesë e projektit ishte edhe ekspozita e fotografive, ku u prezantuan imazhet e realizuara gjatë seteve fotografike, duke sjellë në vëmendje veshjet tradicionale dhe monumentet e kulturës së Tiranës.
Projekti u përmbyll më 29 prill 2025, në hollin e katit të dytë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me një aktivitet ku u prezantua albumi “Thesaret e Tiranës sime”, u ekspozuan fotografitë dhe u organizua një sfilatë me veshje tradicionale.

Mbrëmja u shoqërua me valle të interpretuara nga valltarët e Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve, monologun e Arben Derhemit dhe interpretimin e disa prej këngëve të artistes së mirënjohur Irma Libohova.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe personalitete nga Bashkia e Tiranës, ndërsa koncerti u moderua nga moderatorja Suela Demiri.
Përmes projektit “Thesaret e Tiranës sime”, Tradita Popullore synoi të promovojë trashëgiminë kulturore materiale dhe jomateriale të Tiranës, si dhe vlerat kulturore dhe turistike të saj.



