
Fëmijët janë ata që do të vijojnë të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore shqiptare ndër breza.
Në këtë kuadër, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Faik Konica” zhvilluan një vizitë pranë “Traditës Popullore“, ku u njohën nga afër me pasuritë e kulturës shqiptare. Gjatë aktivitetit, drejtuesja Edlira Sulaj u prezantoi fëmijëve kostume tradicionale nga treva të ndryshme shqipfolëse, duke u shpjeguar veçoritë, ngjyrat dhe elementet karakteristike të tyre.

Përveç veshjeve tradicionale, nxënësit u njohën edhe me punime të ndryshme artizanale, veçanërisht me punimet me grep. Ata patën mundësinë të shihnin nga afër mënyrën se si krijohen këto punime dhe të kuptonin vlerën e tyre si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe e punës së dorës.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte njohja me tezgjahun, një nga mjetet tradicionale të punimit të tekstileve. Fëmijët mësuan për përdorimin e tij dhe për rolin që ka pasur ndër vite në ruajtjen e teknikave artizanale shqiptare.

Aktivitete të tilla i afrojnë fëmijët me kulturën, historinë dhe traditat e vendit, duke i nxitur të vlerësojnë pasuritë kulturore dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve për ruajtjen e tyre. Përmes edukimit dhe përvojave praktike, trashëgimia kulturore mund të vazhdojë të jetojë edhe te brezat e ardhshëm.



