
Tradita Popullore ka realizuar veshjet tradicionale të arbëreshëve të Këdit, duke ruajtur me përpikëri dizajnin, qëndisjet dhe mënyrën tradicionale të punimit. Veshjet janë dërguar në Chieuti, në provincën e Foggia-s, në Itali, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe.
Drejtuesja e Tradita Popullore, Edlira Sulaj, shprehet se puna me këto veshje shoqërohet me një emocion të veçantë, pasi çdo detaj përfaqëson një pjesë të historisë së ruajtur ndër shekuj.
“Kur punon veshjet e arbëreshëve, gjithmonë ka një emocion ndryshe, sepse të duket sikur po punon histori, po qëndis vitet në të cilat ato janë ruajtur”, shprehet Edlira Sulaj.

Ajo thekson se gjatë procesit të realizimit është synuar ruajtja me përpikëri e mjeshtërisë artizanale, dizajnit të veshjeve dhe mënyrës tradicionale të punimit.
“Jemi munduar që çdo gjë ta ruajmë me përpikëri. Të ruajmë mjeshtërinë artizanale, dizajnin e veshjeve, mënyrën e punës së saj”, shprehet Sulaj.

Veshjet arbëreshe dallohen për elegancën, kombinimin e ngjyrave, qëndisjet dhe mënyrën e veçantë të veshjes. Sipas Sulajt, këto elemente dëshmojnë pasurinë e traditës shqiptare dhe mënyrën se si shqiptarët kanë jetuar ndër shekuj.
“Janë shumë elegante, janë shumë të bukura. Kombinimi i ngjyrave, mënyra si janë qëndisur, mënyra se si do të vishen, mënyra se si vërtet populli shqiptar, me qindra vite përpara, ka jetuar si mbretër”, shprehet ajo.

Përmes këtij punimi, Tradita Popullore kontribuon në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë arbëreshe, duke mbajtur gjallë mjeshtërinë artizanale dhe lidhjen kulturore mes brezave.


