
Më 23 shtator, Fondacioni “Tradita Popullore” mirëpriti në atelienë e tij një grup të rinjsh arbëreshë, në kuadër të një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës.
Vizita kishte si qëllim forcimin e lidhjeve të brezit të ri me rrënjët e tyre kulturore, si dhe njohjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur shqiptare.
Gjatë vizitës, të rinjtë u njohën nga afër me historinë dhe veçoritë e veshjeve tradicionale shqiptare, duke parë kostume autentike nga treva të ndryshme të vendit, si edhe veshje tradicionale arbëreshe. Një moment i veçantë ishte mundësia për t’i provuar këto kostume, duke e kthyer vizitën në një përvojë të drejtpërdrejtë dhe të veçantë me kulturën dhe identitetin shqiptar.

Aktiviteti u shoqërua edhe me interpretime të valleve tradicionale shqiptare, ku të rinjtë arbëreshë u përfshinë aktivisht, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë, festive dhe plot energji.
Takimi shërbeu si një urë e bukur lidhëse mes të rinjve arbëreshë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke sjellë më pranë njëri-tjetrit traditën, identitetin dhe brezin e ri, me synimin për ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e këtyre vlerave brez pas brezi.



