
Projekti “Y-Craft, Youth for Cultural Revival and Artisanal Future Traditions”, i zbatuar nga Fondacioni Tradita Popullore në kuadër të projektit BOOST Balkans, synon të fuqizojë të rinjtë përmes njohjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, artizanatit dhe veshjeve tradicionale, duke i lidhur ato me mundësi të reja në ekonominë kreative dhe turizmin kulturor.
Në kuadër të projektit po zhvillohet një cikël prej 14 workshopesh, me rreth 20 të rinj, të cilët njihen me historinë dhe teknikat e realizimit të veshjeve tradicionale nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Njohuritë teorike shoqërohen me punë praktike me artizanë dhe specialistë.

Gjatë workshop-eve të zhvilluara deri tani, të rinjtë janë njohur me veshjen e Tiranës, veshjen e Mirditës, veshjen e Korçës dhe Devollit, veshjen e Fierit, Xhubletën dhe veshjen e Hasit. Workshop-et janë zhvilluar në atelie artizanale, ku pjesëmarrësit, krahas njohurive mbi veshjet tradicionale, kanë realizuar edhe punë praktike me ndihmën e artizanëve të dedikuar të projektit.
Një tjetër moment i rëndësishëm ka qenë përzgjedhja e skicimeve, ku të rinjtë kanë sjellë idetë e tyre kreative. Fokusi i projektit është pikërisht ndërthurja e elementëve tradicionalë me dizajnin bashkëkohor, ndërsa idetë e përzgjedhura do të realizohen me mbështetjen e artizanëve.

Pjesë e këtij cikli ka qenë edhe workshop-i mbi marketingun dhe rëndësinë e promovimit të produkteve artizanale dhe trashëgimisë kulturore, duke e lidhur punën me traditën me mundësitë që ofron ekonomia kreative.
Workshop-i i nëntë, me temë “Lidhja mes trashëgimisë kulturore, sipërmarrjes dhe ekonomisë kreative”, u zhvillua në Muzeun e Kongresit të Lushnjës, me të rinj nga Dhima Dance Academy dhe shkolla “Faik Konica”.

Projekti do të vijojë me workshop-et e radhës, ndërsa parashikon gjithashtu një set fotografik artistik në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, një album fotografik dhe aktivitete promovuese.
Në përmbyllje do të organizohet një ekspozitë dhe event kulturor, ku do të prezantohen krijimet dhe rezultatet e projektit.
Përmes Y-CRAFT, trashëgimia kulturore shihet jo vetëm si një vlerë për t’u ruajtur, por edhe si një burim kreativiteti, zhvillimi profesional dhe mundësish të reja për të rinjtë.



