Gjatë gjashtë muajve, “Tradita Popullore” zhvilloi projektin “Zona Traditë”, duke sjellë të rinjtë më pranë trashëgimisë kulturore shqiptare përmes aktiviteteve edukative dhe praktike.

Aktivitetet u zhvilluan në Shtëpinë Studio Kadare, Muzeun Artizanal (Artisan Lab) dhe në shkolla private. Të rinjtë u njohën me elemente të kulturës shqiptare, si veshjet tradicionale, vallet, historinë dhe artizanatin. Në bashkëpunim me artizanë, ata mësuan dhe praktikuan teknika tradicionale të punimit artizanal.
Një pjesë e rëndësishme e projektit ishte puna praktike. Pjesëmarrësit u përfshinë drejtpërdrejt në procesin e krijimit, duke provuar teknika të ndryshme dhe duke realizuar punimet e tyre. Gjatë këtij procesi u evidentuan edhe të rinj me talent dhe interes të veçantë për artizanatin dhe trashëgiminë kulturore.

Projekti u përmbyll me një aktivitet ku u prezantuan punimet dhe rezultatet e arritura gjatë gjashtë muajve.
Përmes “Zona Traditë”, “Tradita Popullore” krijoi mundësi që të rinjtë të njihen nga afër me traditat shqiptare dhe të përfshihen drejtpërdrejt në ruajtjen dhe përcjelljen e tyre.


